Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, kanë zgjedhur heshtjen drejt deklaratave të ministrit matanë kufiri për mohimin e ekzistencës së masakrës në Reçak, ku u vranë 45 civilë shqiptarë.
Departamenti Amerikan i Shtetit përgjatë mbrëmjes së të premtes deklaroi se masakra e Reçakut është e mirë-faktuar dhe se glorifikimi i krimeve të luftës çnderon viktimat.
Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.
“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.
Këto komente ai i bëri pasi Vulin e quajti dy herë “gënjeshtër të madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm” vrasjen e civilëve shqiptarë në Reçak.
Ish-diplomati amerikan, William Walker, deklaroi se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.
“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, deklaroi ai.
“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, tha tutje Walker.
Megjithatë, këto deklarata nuk çuan peshë tek kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, si dhe kabineti i qeverisë, të cilët njëzëri qëndruan të heshtur karshi zhvillimeve për masakrën në Reçak.