Të paktën një person është vrarë në Rusi pasi të burgosurit që pretendojnë se janë militantë të Shtetit Islamik (ISIS) goditën me thikë rojet e sigurisë dhe morën pengje brenda një burgu të sigurisë së lartë në jugperëndim të vendit.
“Gjatë një seance të një komisioni disiplinor, të dënuarit morën peng personelin e institucionit penal”, thuhet në njoftimin e shërbimit të burgjeve.
Sajti rus i lajmeve ‘Mash’ ka publikuar një video ku shfaqen të paktën dy agresorë, ku njëri deklaronte se ishin “muxhahedinë” dhe pretendonte se kishin marrë nën kontroll burgun.
Katër zyrtarë me uniformë mund të shihen të plagosur dhe të mbuluar në pellgje gjaku, ndërsa një tjetër shihet i ulur pranë një porte, teksa militantët i mbajnë thikën në qafë.


