Gjykata Kushtetuese e Kosovës të hënën ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Vendimi është marrë pas ankesës së paraqitur nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeveria e Kosovës.
Sipas vendimit, masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026.
E lidhur me këtë, juristi Korab Sejdiu ka reaguar, duke thënë se për një çështje që prek drejtpërdrejt funksionimin e dy degëve të pushtetit – dhe në fakt, edhe të tretës – kjo është një kohë tmerrësisht e gjatë.
Sejdiu tutje thotë se ndërkohë që vendime serioze e presin shtetin, në një kohë kur duket që e tërë bota është në flakë, ndoshta kjo është një nga ato situata kur drejtësia kushtetuese duhet të vijë brenda ditësh, jo javësh.
Postimi i plotë:
Fakti që masa e përkohshme është në fuqi deri më 31 mars lë të kuptohet se vendimi meritor mund të merr javë.
Për një çështje që prek drejtpërdrejt funksionimin e dy degëve të pushtetit – dhe në fakt, edhe të tretës – kjo është një kohë tmerrësisht e gjatë.
Kur ekziston ky rrezik i theksuar i një vakumi institucional, ndërkohë që vendime serioze e presin shtetin (në një kohë kur duket që e tërë 🌎 është në 🔥), ndoshta kjo është një nga ato situata kur drejtësia kushtetuese duhet të vijë brenda ditësh, jo javësh.
Sepse në raste të tilla nuk kërkohet vetëm interpretim i drejtë i Kushtetutës, por edhe efikasitet në vendimarrje.


