Lajme

Masa e përkohshme afër përfundimit | Baraliu tregon se çfarë mund të ndodhë pas 30 shtatorit – A do të shkojë vendi në zgjedhje?

09/20/2025 12:00
nga:Sh R

Kushtetuesja ka vendosur një masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e Qeverisë. Masë kjo e cila do të jetë në fuqi nga 5 deri më 30 shtator, raporton GazetaBlic.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, në një intervistë për GazetaBlic, tregon disa variante të vendimeve që Gjykata Kushtetuese mund të dal pas 30 shtatorit.

Baraliu theksoi se një mundësi është që Kuvendi të shpallet i konstituuar dhe që vakanca për komunitetin pakicë të plotësohet në një prej seancave të ardhshme të Kuvendit.

“Është në dorën e saj për të vepruar në këtë drejtim. Ajo që mund të pritet eventualisht që të thotë se Kuvendi është i konstutuar dhe se një vend vakan për një komunitet pakicë në ndërkohë në vazhdim të aktivitetit të Kuvendit në ndonjërën prej seancave mund të propozohet dhe të zgjidhet dhe të plotësohet ai vend vakan për një komunitet pakicë”, tha ai.

Një tjetër mundësi që profesori vlerësoi është ajo e rivlerësimit të procesit të votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ai sugjeroi se, nëse procesi i votimit nuk ka qenë në përputhje me rregullat e Kuvendit dhe praktikat parlamentare, mund të kërkohet një ripërsëritje e procesit, për të siguruar një përfaqësim të drejtë të komunitetit pakicë.

“Varianti i dytë është që thotë se procesi i votimit nuk ka qenë në përputhje me praktikat parlamentare dhe me dispozitat e rregullorës së punës së Kuvendit, dhe mund të thotë që procesi duhet të rifillojë edhe një herë, të përseritet për komunitetin pakicë, ose mund të thotë të ketë përsëritje të procesit për dy përfaqësuesit e komunitetit pakicë të Kuvendit të Kosovës për nënkryetarë”, vlerësoi ai.

Përveç këtyre mundësive, Baraliu nuk përjashtoi as opsionin e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ka pasur mangësi serioze në përfaqësimin e deputetëve dhe funksionimin e Kuvendit, mund të kërkohet shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme për të pasur një Kuvend më të përgjegjshëm dhe në përputhje me ligjin.

“Mund të ketë edhe një variant të tretë, që thjesht të rekomandoj pas gjithë këtyre peripetive që i ka pas Gjykata Kushtetuese me këtë Kuvend, me këta deputet që fatkeqësisht nuk ishin në nivelin e duhur të detyrës dhe të përgjegjësisë, për kaq muaj që të rekomandoj që të shkohet në zgjedhje ose edhe ta detyroj Kuvendin përmes veprimeve kushtetuese që duhet ti ndërmerr presidentja e vendit të shkohet në zgjedhjet e parakohshme të jashtëzakonshme parlamentare”, tha ai.

Profesori Baraliu theksoi se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese është detyrues për të gjithë palët dhe duhet të zbatohet pa u kontestuar

“Vendimet e saj na pelqyen ose jo, dikush mund ti kritikoj e kundërshtoj, dikush mund ti miratoj dhe ti pëlqej por ato janë domosdoshmërishtë të detyrueshme për ty zbatuar”, përfundoi ai për GazetaBlic.