Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të mërkurën në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Pas tij ai bashkë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç kanë darkuar me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Kancelari gjerman kërkoi që të dyja vendet të merren me dialogun dhe të bëjnë përparim lidhur me atë.
Në anën tjetër, Vuçiç tha se Serbia është për kompromis në dialog.
Por, çfarë pritet pas këtij takimi në Berlin në mes të Kurtit e Vuçiç, gati një vit pas takimit të fundit mes tyre për dialogun? A do të ketë zhbllokim të dialogut dhe a është më afër marrëveshja në mes të dyja vendeve?
Për Gazetën Blic, njohësi i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi ka deklaruar se takimi i Kurtit me Scholz është lajm i mirë për Kosovën dhe kryeministrin, pas një izolimi për shkak të qëndrimeve të këtij të fundit.
“Takimi i djeshëm i Kryeministrit Kurti me kancelarin gjerman Sholz është një lajm i mirë për Republikën e Kosovës në përgjithësi dhe qeverinë Kurti në veçanti. Pas një izolimi disakoshëh për shkak të disa qëndrimeve të qeverisë Kurti ndaj dialogut dhe disa pritjeve tjera të komunitetit ndërkombëtar, po shohim një angazhim të kryeqyteteve botërore për të zhbllokuar këtë proces dhe për të ecur përpara”, ka thënë ai.

Sipas tij, në suaza për zhbllokim të dialogut ishte edhe darka e Kurtit me Vuçiç me ndërmjetësim të Lajçakut dhe se kryeqytetet kryesore të botës po synojnë që të lëvizin nga status quoja.
“Në suaza të këtyre përpjekjeve ishte edhe darka e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç me ndërmjetësuesin Lajçak. Tanimë shihet se kryeqytetet kryesore botërore synojnë të lëvizin nga kjo status quo, e cila nga administrata amerikane shihet se i shkon në interesa të Rusisë”, thekson ai.
Ibrahimi vlerëson se marrëveshja duhet të sjellë njohje të ndërsjellë dhe se për këtë marrëveshje duhet kompromis.
“Marrëveshja duhet të çojë në një njohje të ndërsjellë dhe kjo tanimë po bëhet e qartë edhe në kryeqytete tjera përveç Washingtonit i cili e ka pasur këtë qëndrim vazhdimisht. Por ashtu nga këto kryeqytete është thënë se për të arritur këtë marrëveshje, do të duhen kompromise”, shton analisti për Gazetën Blic.
Ai potencon se Kurti e ka mundësinë e artë për tu bërë kryeministri që e përmbyll procesin e shtetësisë së Kosovës dhe për këtë duhet ta gjejë guximin.
“Cilat janë ato kompromise mbetet të definohen në tavolinën e dialogut. Kryeministri Kurti e ka mundësinë e artë për tu bërë kryeministri i cili e përmbyll procesin e shtetësisë së Kosovës dhe ai do të duhet të gjejë guximin e duhur për të bërë kompromiset e nevojshme për ta arritur atë”, është shprehur ai.
Madje, sipas tij, Kurti duhet ta gjejë guximin nëse atë e ka gjetur lidershipi i Kosovës me 1999 në Rambuje.
“Nëse lidershipi kosovar në 1999 në Rambuje ka gjetur guximin që në tytat e pushkëve të bëj kompromis, atëherë zoti Kurti sot e ka shumë më të lehtë. Kjo gatishmëri e vendeve mike duhet të shfrytëzohet dhe të arrihet një marrëveshje brend këtij viti. Kjo është e mundshme nëse lidershipi Kosovar e ka vullnetin për ta bërë këtë”, ka deklaruar Ilir Ibrahimi./Gazeta Blic/


