Emisarë e diplomatë amerikanë e evropianë do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë gjatë këtij muaji.
Nesër Kosovën do ta vizitojë këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e më pas brenda janarit do të vijnë për vizitë edhe Escobar, Lajçak,
Për këto vizita të ndërkombëtarë në Kosovë dhe ndërlidhjen me dialogun, për Gazeta Blic analistët kanë dhënë mendimet e tyre.
Profesori Arben Fetoshi thotë se vizitat tregojnë përqendrimin e tyre në dialog dhe angazhimin në marrëveshjen finale.
“Intensifikimi i vizitave të zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë tregon për përqendrimin e tyre në çështjen e dialogut me Serbinë dhe angazhimin për një marrëveshje finale sa më shpejt që është e mundur”, thekson ai.
Sipas Fetoshit, në këtë funksion është dhe vizita e Chollet.
“Edhe vizita e këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet është në këtë funksion, që të përcjellë mesazhin e Shteteve të Bashkuara rikthim në dialog dhe për arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes bazuar në planin europian, duke i kushtuar vëmendje të veçantë aspektit të sigurisë në rajon”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.
Ai shprehet pesimist për arritjen e një marrëveshje deri në mars, por që mendon se dialogu do të mbyllet sa më shpejt, me SHBA-të në krye. Për këtë, profesori thotë se do të ketë presion ndërkombëtar ndaj Serbisë.
“Nuk besoj se marrëveshja do të mund të arrihet deri në mars për shkak të mosgatishmërisë së Serbisë, por jam i bindur se është interes perëndimor në krye me SHBA-të, që dialogu të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur. Për këtë arsye shpresoj që në ditët e javët e ardhshme të shohim rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë, sepse në të kundërtën asaj do t’i konvenojë që ta mbajë status quo-në edhe më tutje”, deklaron Arben Fetoshi.
Ndërsa, politologu Dorajet Imeri, thotë për Gazeta Blic se ardhja e Chollet është në linjë me qëndrimin e SHBA-ve se Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë prioritet për ta.
“Ardhja në Prishtinë e më vonë edhe vizita në vendet e tjera të rajonit e këshilltarit amerikan, Derek Chollet, është në linjë me qëndrimin e rikonfirmuar disa herë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për SHBA-të rajoni është i Ballkanit është me rëndësi të jashtëzakonshme dhe se mbartja e paqes dhe stabilitetit në rajon padyshim që vazhdon të jetë një nga prioritet e rëndësishme strategjike amerikane”, thekson ai.
Imeri potencon se rapori Kosovë-Serbi është në fokus të veçantë të SHBA-ve dhe arritja e marrëveshjes në pranverë të këtij viti mund të jetë një nga pikat e agjendës.
“Raporti Kosovë-Serbi në veçanti është një fokus i veçantë i angazhimit të SHBA-ve. Arritja e një marrëveshje potenciale në mes të këtyre dy vendeve jo më larg se në pranverën e këtij viti, sigurisht se mund të jetë një nga pikat e agjendës amerikane dhe se ardhjet e kohëpaskohshme të emisarëve ose këshilltarëve të tjerë, ose diplomatëve të shquar, tregon po ashtu se SHBA e ka shumë seriozisht arritjen e këtyre objektivave”, deklaron analisti Dorajet Imeri.
Ndryshe, kryeministri Kurti i pyetur sot për një marrëveshje sipas planit franko-gjerman, tha se ai është bazë e mirë për bisedime por që e ka refuzuar Serbia./Gazeta Blic/


