Presidentja Vjosa Osmani ka dalë me një reagim pasi Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targa në Bruksel, të mërkurën mbrëma.
Ajo tha se dëshiron të falënderoj ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier dhe Qeverinë e SHBA-së për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel.
“Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova është mirënjohëse”, shkroi ajo në Twitter.
Pala kosovare dhe ajo serbe kanë arritur marrëveshje lidhur me targat, ka konfirmuar përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell në Twitter.


