Lajme

Marrëveshja finale Kosovë-Serbi objektiv i largët/ Kjo do të jetë arsyeja e takimit mes palëve “ditëve në vijim”

10/25/2022 12:58
nga:Genita C

Analistët nuk janë optimist që një marrëveshje finale Kosovë-Serbi mund të arrihet “ditëve në vijim”, ashtu siç po qarkullojnë lajme në mediet vendore e të huaja, raporton GazetaBlic.

Njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri thotë për GazetaBlic se emisarët ndërkombëtarë nuk janë duke thënë që do të ketë marrëveshje finale, por sipas tij janë duke negociuar ende për të.

“Marrëveshja që po flasin emisarët amerikan nuk ka të bëjë me marrëveshje finale, por ka të bëjë me dakordimin për të vazhduar me negociata për çështjen finale”, tha Imeri.

Sipas Imerit, palët do të takohen ditëve në vijim për vazhdimin e procesit dhe jo për marrëveshje finale.

“Pra, palët do të merren vesh ditët në vijim për procesin vijues dhe jo për marrëveshjen finale dhe prandaj kjo është faza e fundit e negociatave Kosovë-Serbi, nëse kjo ndodh konform kërkesëve së emisarëve ndërkombëtar”, thotë Imeri.

Se marrëveshje finale nuk do të ketë, thotë edhe Dritëro Arifi, njohësi i çështjeve politike.

Sipas Arifit, marrëveshja finale është larg, por mund të ketë marrëveshje për targat dhe disa nga çështjet tjera që kanë mbetur pa u zgjidhur.

“Unë nuk besoj që do të ketë marrëveshje këto ditë, të paktën finale. Mund të ketë marrëveshje për njërën nga temat që kanë mbetur pa u zgjidhur, siç është çështja e targave për të cilën do të shohim ditëve në vijim se si do të shkojë krejt kjo histori”, thotë për GazetaBlic.

Sipas Arifit, arritja e marrëveshjes finale është objektiv shumë i largët dhe për këtë ai fajëson Serbinë.
“Nuk jemi afër marrëveshjes finale, ajo është objektiv shumë i largët sepse në Serbi nuk është bërë asnjë përgatitje jurdike dhe as politike për këtë çështje, dhe përderisa nuk ka në përgatitje të tilla, marrëveshja finale është shumë larg”, thotë Arifi

“Presioni i SHBA-ve dhe BE-së është që të kemi disa marrëveshje që të kemi disa marrëveshje bazë, pa dashur ta prekim marrëveshjen finale”, përfundon Arifi për GazetaBlic.