Lajme

Marrëveshja e Ohrit/ Deputeti i VV-së: Zajednicë nuk ka, por vetëmenaxhim të komunave serb – Kosova bëri më të mirën

03/20/2023 09:52
nga:G B

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Ohër, për zbatimin e planit evropian të pranuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Në këtë plan përfshihet edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët në dialog.

Megjithëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh i gatshëm për nënshkrim të marrëveshjes, sikurse edhe me 27 shkurt në Bruksel, ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ai që nuk u pajtua të nënshkruante as me 18 mars në Ohër.

Duke mos nënshkruar pala serbe, Kurti kërkoi që BE-ja të gjejë mekanizma për ta bërë marrëveshjen të zbatueshme ligjërisht.

Në anën tjetër, ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për zbatim të marrëveshjes, teksa kanë përgëzuar Kosovën dhe Serbinë për pajtimin, duke theksuar se me këtë marrëveshje i hapin vetes rrugën drejt BE-së.

Kritika për marrëveshjen ka pasur nga partitë opozitare, PDK e LDK, të cilat e kanë quajtur mashtrim e humbje të njohjes nga ana e Serbisë.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova e ka bërë më të mirën e mundshme, e këtë e dëshmon kundërshtimi i Vuçiqit për ta nënshkruar marrëveshjen.

“Vetë fakti që presidenti Vuçiq nuk ka pranuar ta nënshkruajë marrëveshjen, është argument i mjaftueshëm që pala kosovare e ka bërë më të mirën që ka qenë e mundshme”, thotë ai.

Deputeti potencon se nuk ka Zajednicë por vetëmenaxhim të komunave serbe, që thotë se nuk e tejkalon Kushtetutën e Kosovën.

“Zajednicë nuk ka, por ka vetëmenaxhim të komunave serbe, veprime të cilat nuk do ta tejkalojnë Kushtetutën e vendit”, deklaron Agusholli për Gazeta Blic.

Ndryshe, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sot tha se zbatimi i marrëveshjes është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës./Gazeta Blic/

 

Hovenier: Zbatimi i marrëveshjes është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës