Lajme

“Marrëveshja çështje javësh”, Fetahu: Nuk duhet paragjykuar, Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje

10/20/2022 14:45
nga:G B

I dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë është çështje javësh.

Ai u shpreh se u mbetet palëve dhe ndërmjetësuesve të vendosin afatet kohore.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”, tha Escobar në Kanal10.

Ai dje u takua me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti gjatë vizitës në Kosovë.

Vizitën e tij e sheh të rëndësishme Arbër Fetahu Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), i cili thotë se këto vizita janë të shërbim të arritjes së qëllimit, për një marrëveshje me njohje në qendër.

“Vizita e z.Escobar është shumë e rëndësishme pasi që pozita që ai mban ka ndikim për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vizitat e tij më të shpeshta tregojnë që SHBA dëshiron që të arrijë sa më shpejt një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shtuar këtu faktin që edhe paradigma e stabilitetit dhe sigurisë ka ndryshuar me agresionin e Rusisë në Ukrainë. Këto vizita besoj që janë në shërbim të arritjes së këtij qëllimi, që nënkupton përmbylljen e një konflikti të ngrirë në Ballkan dhe Evropë me një marrëveshje përfundimtare në mes të dyja vendeve, e që për SHBA-në marrëveshja duhet të jetë me në qendër njohjen e ndërsjellë”, thotë Fetahu për Gazeta Blic.

Lidhur me mundësinë e arritjes së marrëveshjes, siç tha Escobar, brenda javësh, ai vlerëson se nuk duhet paragjykuar, pasi në të kaluarën ka pasur diskutime të tilla por që ka dalë më pas e kundërta.

“Sa i përket mundësisë që të kemi së shpejti një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është mirë të mos paragjykohet dhe të hidhen hipoteza pasi që edhe ne të kaluarën kemi pasur shumë momente të tilla ku është diskutuar që marrëveshja është afër dhe e kundërta ka ndodhur”, thekson ai.

Fetahu potencon se Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje dhe po e prolongon procesin, derisa shton se në muajt në vijim do të bëhet e qartë më shumë nëse jemi afër marrëveshjes.

Ai e sheh pozitive që SHBA dhe BE po e përmendin më shumë marrëveshjen finale.

“Konsideroj që Serbia është pala e cila nuk është e gatshme për ndonjë marrëveshje dhe është duke e prolonguar procesin, shtuar këtu pozitën e saj jo të mirë momentalisht në politikën ndërkombëtare dhe shtuar këtu pozitën e dobësuar të Rusisë në botë. Sidoqoftë, përpjekje janë duke u bërë dhe besoj që në muajt në vijim mund të kemi qartësime më shumë se a po i afrohemi marrëveshjes finale apo jo. Është pozitive që edhe nga SHBA dhe BE tashmë po e përmendin më shumë dhe po diskutohet më shumë për elementet e marrëveshjes finale”, deklaron Arbër Fetahu për Gazeta Blic.