Sporti

Marly Prince fiton çmimin “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

09/29/2022 17:52
nga:E K

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.

Çmimi i më të mirit për javën e tetë i ka takuar portierit të FC Trepça’89, Marly Prince, përcjell GazetaBlic Sport.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Muhamet Sylejmani nga KFV Mitrovica, Jeton Shehu nga KFV Besa dhe Vllaznim Visoka nga KFV Llapi.

Komisioni vlerësoi se ‘gardiani’ i portës së Trepça 89’, ishte më i merituari që skuadra e tij realizoi fitore kundër Dukagjinit (3:0), duke e mbajtur portën e tij të pamposhtur. Ai gjatë lojës u tregua shumë i shkathtë në 5 intervenime kyçe, të cilat ndikuan në rrjedhën e lojës.

Çmimi “Ylli i Javës” Marly Prince iu dorëzua sot, pas kthimit nga vendlindja e tij, ku ishte i grumbulluar me Kombëtaren e Kongos.

Pasi mori çmimin, Prince theksoi se ndihet shumë i vlerësuar, teksa u shpreh se pret shumë nga skuadra e tij në këtë edicion.

“Jam shumë i lumtur të pranoj sot trofeun e më të mirit të xhiros. Si futbollist i Trepçës ‘89, pres që si ekip i mirë dhe i kompletuar që jemi të fitojmë kampionatin dhe pse jo të jemi pjesë e Ligës së Kampionëve në vitin e ardhshëm. Me këtë rast dua të falënderoj shumë stafin dhe bashkëlojtarët për këtë trofe, sepse pa kontributin e tyre ky çmim do të ishte i pamundur të fitohej”, ka theksuar Marly Prince për faqen zyrtare të FFK-së.

/GazetaBlic Sport/