Lajme

Mark Thompson, emërohet shef ekzekutiv i CNN-it

08/30/2023 15:35
nga:Y I

Mark Thompson, ish-shef ekzekutiv i The New York Times, dhe drejtori i përgjithshëm i BBC, do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i CNN.

Thompson, merr timonin e CNN, si shef ekzekutiv, në një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e saj 43-vjeçare, transmeton klankosova.tv.

“Nuk ka një ekzekutiv më me përvojë, më të respektuar apo më të aftë në biznesin e lajmeve sot se Mark, dhe ne jemi të kënaqur që ai të bashkohet me ekipin tonë dhe të udhëheqë CNN Worldwide në të ardhmen”, tha David Zaslav, shefi ekzekutiv i kompanisë mëmë CNN, Warner Bros Discovery, në një deklaratë.

Thompson, i cili do të fillojë zyrtarisht më 9 tetor si shef ekzekutiv dhe kryetar, tha në një deklaratë se ai “nuk mund të ishte më i emocionuar për mundësinë për t’u bashkuar me CNN pas vitesh shikimi dhe konkurrimi kundër tij me një përzierje admirimi dhe zilie”.

“Bota ka nevojë për lajme të sakta të besueshme tani më shumë se kurrë dhe ne kurrë nuk kemi pasur më shumë mënyra për ta përmbushur këtë nevojë brenda dhe jashtë vendit”, tha Thompson.

”Aty ku të tjerët shohin përçarje, unë shoh mundësi. Mezi pres të përveshë mëngët dhe të filloj të punoj me kolegët e mi të rinj për të ndërtuar një të ardhme të suksesshme për CNN”.

Emërimi i Thompson, një drejtues mediatik me përvojë, i cili vlerësohet gjerësisht për shpëtimin e The Times gjatë një periudhe të trazuar në historinë e gazetës, vjen në një kohë të rëndësishme për CNN, me rrjetin që po përballet me një mori sfidash të rëndësishme.

Mënyra se si adresohen këto sfida do të përcaktojë të ardhmen e rrjetit të lajmeve.

Më së shumti, CNN përballet me një kërcënim ekzistencial për modelin e tij të biznesit për shkak të tkurrjes së shpejtë të televizionit tradicional linear, ku gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave të tij.