Sporti

Marjola Sallauka flet për synimet e Donjeta Sadikut: Kërkojmë kualifikimin në Lojërat Olimpike

01/13/2024 18:22
nga:E K

Donjeta Sadiku është një nga emrat në boksin e Kosovës që vazhdimisht sjell suksese për vendin në garat ndërkombëtare.

Trajnerja e boksieres kosovare, Marjola Sallauka në një intervistë për “GazetaBlic Sport” ka rrëfyer për punën që bënë ajo dhe Sadiku për të arritur deri te sukseset si dhe ka treguar për qëllimet e tyre për garat e radhës.

“Secila punë ka vështirësitë e veta, njësoj si edhe ajo e trajneres. Rruga drejt suksesit të cilat kërkojmë e synojmë nuk është e lehtë, andaj vështirësitë janë të pritshme, ndonjëherë më të mëdha, por nuk dorëzohemi kurrë.

Ky ishte një vit i suksesshëm, gjë që është e pritshme nga Donjeta, e cila çdo herë është në rritje. Me vendin e 5 në Lojerat Evropiane – Krakow, Poloni, ku Donjeta ishte sportistja me arritjen më të madhe në këto lojëra. Kampione e Ballkanit në Sofie të Bullgarisë, si dhe e përzgjedhur si bokserja më e mirë e Kampionatit”, tha fillimisht ajo.

Sallauka beson se Donjeta Sadiku do mund të siguronte edhe medalje botërore nëse do i ishte lejuar pjesëmarrja nga shteti i Indisë.

“Besoj se këtyre sukseseve do t’u shtohej edhe medalja botërore, në qoftë se Donjetës do i lejohej pjesëmarrja në këtë kampionat nga shteti i Indisë, pasi ishte në formë të shkëlqyer. Pas këtyre sukseseve, bëhet punë shumë e madhe dhe me shumë vështirësi. Donjeta është e palodhur dhe e uritur për sukses, andaj normalisht që zhvillohet punë e madhe për këto arritje”, shtoi Sallauka për GazetaBlic Sport.

“Viti 2024 është vit me shumë sfida; kemi kualifikueset për Lojërat Olimpike – Paris 2024 që mbahen në Itali në fund të muajit Shkurt, ku besoj vërtetë që Donjeta do të arrijë kualifikimin. Do të mundohemi që gjatë këtij viti, ashtu si dhe vitet e kaluara, të përfaqësojmë shtetin tonë Kosovë sa më denjësisht dhe të ngrëjmë flamurin tonë në piedestalet më të larta në këto gara”, përfundoi trajnerja për GazetaBlic Sport.