Lajme

Mariupol i shkatërruar në tërësi, pamje shokuese të xhiruara nga droni

03/31/2022 13:10
nga:Astrit Gashi

Bota pothuajse për çdo ditë po është dëshmitare e pamjeve dhe xhirimeve qe po vijnë nga qyteti i Mariupolit, në jug të Ukrainës, qytet ky i cili është shkatërruar pothuajse në tërësi si pasojë e agresionit rus.

Qyteti në jug të Ukrainës është nën rrethimin rus prej javësh dhe zyrtarë të shumtë kanë paralajmëruar prej disa kohësh se qyteti kërcënohet nga një katastrofë humanitare dhe se nevojitet evakuim urgjent i banorëve.

Shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Ukrainë, Matilda Bogner, deklaroi se mund të ketë mijëra viktima civile në Mariupol.

Bogner tha në një konferencë javën e kaluar se vëzhguesit e OKB-së kishin marrë më shumë informacion në lidhje me varrezat masive në Mariupol, duke përfshirë edhe një varrezë, në të cilën besohet se janë të varrosur mbi 200 kufoma.

“Sa i përket varrezave masive, në fakt, ne tani kemi vendosur t’i quajmë varreza të improvizuara”, tha ajo.

Pamjet më të reja, të bëra nga një dron, shfaqin përmasat tmerruese të shkatërrimit të këtij qyteti.