Trajneri italian Enzo Maresca po shihet si kandidati numër një për të marrë drejtimin e Manchester City në rast se Pep Guardiola largohet në fund të sezonit 2026/27.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur i merkatos Fabrizio Romano, i cili ka deklaruar se Maresca është “i vetmi kandidat” që po konsiderohet seriozisht nga drejtuesit e klubit anglez.
Maresca, i cili më parë ka drejtuar Chelsea dhe Parma, u largua nga londinezët në janar të këtij viti pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit. Megjithatë, emri i tij vazhdon të ketë reputacion të lartë në futbollin anglez, sidomos për shkak të lidhjes së ngushtë me Guardiolën dhe eksperiencës së mëparshme në akademinë e Manchester Cityt.
Sipas raportimeve, drejtuesit e Cityt e konsiderojnë italianin si profilin ideal për të vazhduar filozofinë e lojës që Guardiola ka ndërtuar gjatë viteve të fundit në “Etihad”. Gjithçka tani varet nga vendimi që tekniku spanjoll do të marrë për të ardhmen e tij.
/GazetaBlic Sport/


