Marco Materazzi është ndalur gjatë tek Interi dhe e ardhmja e zikaltërve në prononcimin për GDS. Ish-mbrojtësi i ashpër italian, fitoi gjithçka me Interin gjatë 10 viteve që luajti në Milano (2001-2011).
Dhe si zëvendësues të Simone Inzaghit, i cili po zhvillon një punë fenomenale te nënkampionët e Europës, sugjeron një ish-shok skuadre.
“Thiago Motta, përveçse është i përgatitur dhe inteligjent, preferoi të merrte përvojë te Genoa, Spezia dhe Bologna në vend që të pranonte drejtimin e PSG-së.
Gjithashtu nuk rrezikoi të humbiste në errësirë, duke refuzuar Napolin që sapo kishte fituar titullin dhe ishte ndarë me Spallettin.
Unë shpresoj që gjatë verës të mos shkojë në ndonjë klub të madh, ai duhet të vijojë të qëndrojë te Bologna.
Kështu që Interi do të vazhdojë të fitojë me Inzaghin. Dhe një ditë Thiago mund t’i zërë vendin Inzaghit në pankinën e Interit”, u shpreh Materazzi.
50-vjeçari fitoi Kupën e Botës me kombëtaren italiane në Gjermani 2006. Botërorin e nisi si zëvendësues, por gjithçka ndryshoi pas dëmtimit të Nestës.
Me Materazzin që u shndërrua në një nga protagonistët kryesorë të suksesit të kaltër, sidomos në finalen përballë Francës së Zidane.