Sporti

Marc Guehi në ‘radarët’ e Real Madridit

12/31/2025 18:38
nga:Mergim Rreci

Kapiteni i Crystal Palace, Marc Guehi, po tërheq vëmendjen e disa klubeve evropiane, dhe së fundmi në listë janë futur edhe gjigantët spanjollë të Real Madridit.

Sipas medieve të huaja, mbrojtësi i kombëtares së Anglisë po konsideron të lërë të skadojë kontratën e tij me Palace për të përfituar një shumë të majme si pagesë firmash në verën e ardhshme, kur do të bëhet agjent i lirë.

Guehi do të jetë i lirë për të negociuar me klube të tjera në fund të sezonit, ndërsa bisedimet pritet të nisin gradualisht me hapjen e afatit kalimtar të janarit. Deri tani, interesim për të janë shprehur Bayern Munich, Manchester City dhe Barcelona, ndërsa siç raportohet, rivalët e Premier League, Liverpool, kanë qenë kryesues në garën për shërbimet e tij.

Sipas gazetës spanjolle “AS”, Real Madrid tashmë ka kontaktuar përfaqësuesit e Guehi-t dhe ka shprehur interesim për ta sjellë mbrojtësin anglez në ‘Santiago Bernabeu’, duke e shtuar kështu konkurrencën në një prej garave më të nxehta të afateve kalimtare.