Vëllai i Diego Maradonës, Lalo Maradona, ishte një nga përfaqësuesit e familjes në ndeshjen për nder të ish-legjendës argjentinase,Diego Maradona i cili vendosi përballë njëri-tjetrit Barcelonën dhe Boca Juniorsin e cila përfundoi me fitoren e skuadrës argjentinase.
Në një intervistë për ‘Mundo Deportivo‘, Lalo Maradona është ftuar të bëjë një analizë krahasuese mes vëllait të tij, Diego, dhe yllit aktual argjentinas, Lionel Messi, përcjell GazetaBlic Sport.
“Për mua, Diego është më i miri. Leo është gjithashtu më i miri. Këto janë kohë të ndryshme. Leo i ka të gjitha rekordet sepse përkoi me një ekip shumë të mirë, që e ndihmoi shumë. Vëllai im nuk ishte aq me fat. Ata janë dy lojtarë të ndryshëm, vëllai im kishte një shpirt tjetër, ishte më i guximshëm, e shtyu skuadrën përpara. Në këtë, ai ishte i ndryshëm nga Leo. Por për mua Messi është aktualisht më i miri në botë. Më pëlqen ta shoh duke luajtur dhe kudo që të shkojë, të gjithë argjentinasit do ta ndjekin”, ka thënë ai.
“Për mua përfaqëson maksimumin, më të mirën e të gjitha kohërave që kam parë. Do të na mungojë shumë sepse i dha një shije të veçantë, ishte më shumë se futbolli. Ai ishte një lojtar i etur për të treguar veten çdo ditë, për t’u përmirësuar, për të luajtur mirë dhe për të qenë një lider në fushë, duke ndihmuar të gjithë ata që kishin nevojë”, përfundoi argjentinasi.
/GazetaBlic Sport/


