Lajme

Maqedonci takon në Varshavë ministrin polak të Mbrojtjes, flasin për sigurinë në Kosovë

05/06/2024 13:22
nga:G C

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se në kuadër të forumit “Defence 24 Days” është takuar me homologun polak, Władysław Kosiniak- Kamysz, të cilin e ka njoftuar rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Po ashtu, Maqedonci në takim me të, ka thënë se ka dyshime që grupe terroriste po mbështeten nga strukturat e sigurisë të shtetit të Serbisë me qëllim për të shkaktuar destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit.

“Ministrin Kamysz e informova rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, gjersa shpreha dhe shqetësimin tim për militarizimin e Serbisë dhe 48 bazat e ushtrisë dhe gjandarmërisë serbe të vendosura përgjatë vijës kufitare me Kosovën, e gjithashtu dyshimin e bazuar me rastin e sulmit në Banjskë që grupet terroriste po mbështeten nga strukturat e sigurisë të shtetit të Serbisë me qëllim për të shkaktuar destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, ka shkruar në Facebook ai.

Ministri i Mbrojtjes më tej, ka shkruar se me ministrin polak janë dakorduar për vendosje të bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes dy shteteve.

“U dakorduam që është tejet e rëndësishme të vendosim bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Polonisë”, shtoi ai.