Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se sulmi në Banjskë ishte tentativë për destabilizim të Kosovës dhe se burimi i kërcënimeve në rajon mbetet qasja hegjemoniste e Serbisë.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi ai theksoi se rreziku për Ballkanin Perëndimor nuk është i izoluar.
“Baza e vërtetë e çdo kërcënimi për siguri në Ballkanin Perëndimor qëndron te qasja hegjemoniste që politika në Serbi vazhdon ta ketë”, deklaroi Maqedonci.
Duke folur për ngjarjet në Banjskë, ai e cilësoi sulmin si përpjekje për okupim të pjesës veriore të vendit.
“Sulmi i Banjskës ishte tentativë për okupimin e pjesës veriore të vendit tonë nga grupe terroriste dhe kriminale të mbështetura nga Serbia”, u shpreh ai.
Ministri shtoi se fakti që grupi i armatosur vazhdon të strehohet në Serbi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për rajonin.
“Ky grup vazhdon të strehohet dhe të mbështetet nga strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi, dhe kjo paraqet kërcënim jo vetëm për ne, por për gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Maqedonci kërkoi dorëzimin e Milan Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës.
“Serbia duhet ta dorëzojë grupin e Radoiçiqit te autoritetet tona”, deklaroi ministri.
Ai theksoi se përballë këtyre rreziqeve kërkohet vigjilencë e shtuar dhe veprime më të forta diplomatike nga partnerët ndërkombëtarë.


