Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në një intervistë për A2CNN ka thënë se perderisa kreu i grupit të armatusur që sulmoi në Banjskë, Milan Radojiçiq të jetë i lirë, situate do të jetë e brishtë në veri të vendit.
“Përderisa grupi i Radoiçiç vazhdon të mbetet i lirë në Serbi, përderisa politika e Serbisë inkurajon grupe të tilla, situata mbetet e brishtë në veri të vendit”. – tha ai.
Megjithatë, ai theksoi se sot Kosova ka arritur të shtrijë sovranitetin në veri dhe aktualisht situata është e qetë aty.
“Është një lajm i mirë ngritja e aktakuzës ndaj grupit të Banjskës sepse Kosova me të vërtetë nuk ka ekzagjeruar kur ka paraqitur kërcënimet dhe rreziqet që kanë ardhur nga Serbia dhe nga këto grupe terroriste në veri. Për disa vite me radhë nga institucionet tona është theksuar rreziku që mund të vijë nga këto grupe. Sot, vigjilenca është shumë e lartë. 24 Shtatori nuk na ka mësuar vetëm ne por edhe ndërkombëtarët, që aspekti i sigurisë në Ballkanin Perëndimor është i dobët, përderisa ekzistojnë shtete që synojnë okupimin e vendeve të tjera, siç është Serbia. Gati 70% e kapaciteteve ushtarake të Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, jo larg kufirit dhe inkurajohen grupe të tilla si ai i Radoiçiç për të kryer sulme terroriste ndaj vendit tonë.


