Lajme

Maqedonci pyetet për luftë: Sa të ekzistojë ideja për një “Serbi të madhe”, ka rrezik për Kosovën dhe rajonin

07/04/2024 21:10
nga:Sh R

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Serbia nuk i ka ndalë ushtrimet provokuese as para dhe as pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.

I pyetur nëse ekziston mundësia e ndonjë sulmi nga Serbia, ai ka thënë se përderisa ekziston ideja e një “Serbie të madhe” në rajon, kjo paraqet rrezik dhe jo vetëm për Kosovën.

Por, Maqedonci në një intervistë për emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se Kosova është e gatshme të përballet me çfarë do kërcënimi jo vetëm nga Serbia po nga kushdo që ka guximin të cenojë sovranitetin e vendit.

“Përderisa, vazhdon të ekzistojë, të ushqehet dhe të fuqizohet teoria hegjemoniste e të pasurit një “Serbi të madhe” në rajon, kjo është kërcënim jo vetëm për Kosovën por për gjitha vendet. Pavarësisht kësaj jemi të gatshëm të përballemi me çdo sfidë dhe çdo kërcënim jo vetëm nga Serbia, por nga kushdo qoftë që guxon të prekë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka thënë Maqedonci.

Ai ka thënë se Kosova më 24 shtator kur ndodhi sulmi në Banjskë ka treguar se është e gatshme të përballet me grupe terroriste.

“Kosova edhe më 24 shtator, përkatësisht Policia e Kosovës ka dëshmuar se është e gatshme të përballet me grupe të ndryshme kriminale dhe terroriste me qëllim të destabilizimit e vendit tonë.Dihet që në Kosovë kemi KFOR-in që është përgjegjësi kryesor për mbrojtjen e vendin nga ndonjë sulm nga jashtë”, ka thënë Maqedonci.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që një sulm i ngjashëm të përseritet, përderisa siç ka thënë ai, grupet terroristet mbështeten nga Serbia.