Lajme

Maqedonci: Përmes bazës ajrore në Kuçovë siguria në Ballkan do shihet nga një prizëm tjetër

03/04/2024 14:25
nga:G B

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së bazës ajrore ushtarake në Kuçovë të Republikës së Shqipërisë, duke e quajtur këtë ngjarje si një moment historik që do të ndryshojë karakterin gjeostrategjik të Shqipërisë dhe Ballkanit në përgjithësi.

“Kjo bazë që do të shërbej si bazë ajrore taktike e operacionale përbën investimin më madhor të Shqipërisë dhe aleancës së NATO-s, si aset i vyer i mbrojtjes kolektive në dekadën më të kërcënuar të sigurisë,” tha Maqedonci.

Ai gjithashtu shprehu dëshirën që Forca e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, të ngrisë kapacitetet e saj ajrore dhe uroi që Shqipëria të vazhdojë ndërtimin e flotës moderne ajrore.

“Si çdoherë kombi shqiptar është në anën e duhur të historisë, andaj dhe kjo bazë ashtu si dhe të gjitha kapacitetet ushtarake do të jenë vetëm në funsksion të paqes,” shtoi ai.

Duke folur për rëndësinë e bazës ajrore të Kuçovës, Maqedonci tha se “situata e sigurisë në Ballkan tashmë do të shihet nga një prizëm tjetër, sigurisht më i konsoliduar se kurrë bashkëpunimi ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s dhe fqinjëve tanë që duan stabilitetin.”