Lajme

Maqedonci: Gjatë vitit të kaluar kemi investuar rreth 108 milionë euro në blerjen e sistemeve më moderne të armatimit

02/12/2024 19:59
nga:G B

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoci, ka thënë se në mbledhjen e sotme para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka raportuar rreth zhvillimeve në FSK, investimit në armatime por gjithashtu dhe sfidave me të cilat përballemi.

“Sigurisht duke qenë sektori i sigurisë dhe mbrojtjes si më i rëndësishmi në vend, vëmendja dhe angazhimi ynë në baza ditore është maksimal në përmbushjen e të gjitha objektivave, dhe në këtë aspekt është bërë një investim enorm në raport me qeverisjet e kaluara”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë investuar rreth 108 milionë euro në blerjen e sistemeve më moderne të armatimit.

“Kemi shkolluar dhjetëra kadetë dhe trajnuar qindra të tjerë në akademitë më prestigjioze në botë. Kemi zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake por mbi të gjitha përmes bashkëpunimi të shkëlqyer me partnerët tanë strategjik, krahas dronëve po ngrisim kapacitetin ushtarak mbrojtës të FSK-së me blerjen e sistemit anti-tank Javeline dhe sistemeve të tjera moderne të armatimit”, ka thënë ai.

“Ka dhe shumë drejtime ku duhet vazhdojmë angazhimin, duke qenë se forcimi i ushtrisë nuk ka të bëj thjesht me përmbushjen e mandatit por me strukturën organizative, operacionale, kapaciteteve mbrojtëse që përbëjnë shtyllën e sigurisë për qytetarët, për të ardhmen e brezave të rinj dhe të vendit. Përmbushja e rolit kushtetues që krahas investimeve në armatime realizohet përmes investimit në burime njerëzore, të rinjtë e të rejat e vendit tonë, ushtarakët tanë. Ngritja e pagave duke përkrahur idenë e një shpërndarje në grada që do korigjonin hendekun financiar ndërmjet tyre, ishte veprimi konkret i ndërmarr gjatë vitit të kaluar përmes Ligjit të Pagave”.

Ai ka thënë se është mirënjohës për kontributin e ushtarëve, e cila sipas tij, nuk kompensohet me vlerë monetare pasi është fisnike, shpirtërore e flijuese më tepër se përfituese.

Maqedonci është shprehur se synimet e Republikës së Kosovës janë që qarta. Ai është shprehur se janë për paqe dhe për stabilitet, andaj “dhe jemi për anëtarësim në NATO”.