Lajme

Maqedonci: FSK-ja tejkalon shumë ushtri të Ballkanit

10/06/2024 19:33
nga:G B

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Ushtria e Kosovës është e krahasueshme dhe madje i tejkalon shumë prej forcave të sigurisë në vendet e Ballkanit.

Kjo deklaratë erdhi gjatë një paneli për politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, organizuar nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.

Maqedonci ka theksuar se investimet në armatim janë rritur ndjeshëm, duke arritur një rritje prej 6,000 për qind.

“Në periudhën 2018-2020, blerjet për armatim ishin më pak se katër milionë euro, ndërsa nga viti 2021 deri në 2023, kjo shifër ka arritur në 238 milionë euro”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai ka potencuar se përmes këtyre blerjeve, Kosova ka kursyer miliona euro nga buxheti kombëtar.

Disa nga sistemet e armatimit të blera përfshijnë sistemet Bayraktar dhe Javelin, për të cilat sipas tij, po përfundohen pagesat për t’u integruar në inventar.

“Ka edhe shumë sisteme të tjera që po prokurohen dhe janë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve luftarake”, ka shtuar Maqedonci.