Lajme

Maqedonci e Vengu vizitojnë ushtarët që po vazhdojnë kërkimet në Klos

02/05/2026 18:35
nga:Genita C

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bashkë me homologun e tij shqiptar, Pirro Vengu, kanë takuar ushtarët e njësive të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit të zhdukur në zonën e Klosit.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, që nga data 29 janar, ka zbarkuar në zonën e operacionit me njësinë e kërkim-shpëtimit me personel të specializuar për kërkime në ujëra, skanerë dhe dronë nënujorë. Kërkimet do të vazhdojnë dhe personeli ynë është në krye të detyrës”, ka shkruar Maqedonci.

Forca e Sigurisë së Kosovës atje shkoi me kërkesën e autoriteteve të Shqipërisë, për çka Qeveria kishte miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për angazhimin e një kontingjenti të Kërkim-Shpëtimit, të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së për t’iu bashkuar operacionit në Klos.