Lajme

Osmani e Maqedonci në takimin me Bauerin folën për anëtarësimin e Kosovës në NATO

11/24/2024 17:59
nga:G C

Në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe presidentja, Vjosa Osmani kanë takuar kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Bob Bauer.

Maqedonci bën të ditur përmes një postimi në Facebook se me Bauer diskutuan rreth situatës së sigurisë dhe përkushtimit të Kosovës në përmbushjen e detyrave për anëtarësim në NATO.

“Në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax , së bashku me Presidenten Osmani, takuam Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Bob Bauer me të cilin diskutuam rreth situatës së sigurisë dhe përkushtimit të Republikës së Kosovës në përmbushje të detyrave tona për anëtarësim në NATO. Rikonfirmuam orientimin e angazhimin tonë të vazhdueshëm drejtë anëtarësimit tonë të merituar në NATO, e cila përveçse është kërkesë e jona, është edhe e domosdoshme për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar ministri.