Lajme

Manipulimi i votave/ Me kaq vite burgim mund të dënohen ata që manipulojnë apo falsifikojnë ato

01/20/2026 11:08
nga:G B

KQZ ka vendosur për rinumërim të votave në gjithë Kosovën.

Kjo pasi në disa komuna pati ndryshime në vota pas rinumërimit.

Por, sa mund të dënohen ata që manipulojnë apo falsifikojnë votat?

Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se Kodi Penal e përcakton se dënimi është 3-5 vjet, nëse vërtetohet se janë manipuluar apo falsifikuar votat.

“Kodi Penal i Republikës së Kosovës e sanksionon falsifikimin e rezultateve të votimit dhe jep përgjegjësi shtesë ndaj anëtarëve të KQZ-së që kanë përgjegjësi zyrtare që të administrojnë drejt rezultatet e votimit, qoftë për subjekte politike apo për kandidatët për deputetë. Kodi Penal, neni 216 ka një dispozitë që mjaft mirë e përcakton sanksionin penal ndaj gjithë atyre zyrtarëve, të komisionerëve të cilët manipulojnë, falsifikojnë, ndryshojnë apo edhe tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve votues, duke shtuar apo hequr, duke manipuluar rezultatin e votimit dhe Kodi Penal përcakton që të gjithë këta zyrtarë, nëse provohet që e kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit, mund të dënohen me burgim nga 3-5 vjet, prandaj edhe unë mendoj që këto sanksione janë të përshtatshme në raport me veprën që kryhet, prandaj edhe duhet pritur që KQZ dhe Prokuroria e Shtetit do t’i mbledhë të gjitha provat dhe do t’i iniciojë procedurat penale të të gjitha atyre rezultateve”, ka deklaruar Bugaqku./Gazeta Blic/