Pas vendimeve për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve ku më 28 dhjetor u zhvillua votimi i rregullt në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hequr dilemat se cili rezultat do të konsiderohet përfundimtar: ai i dalë nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit apo nga procesi aktual i rinumërimit?
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se është nën kompetencë të këtij institucioni të vendosë për rinumërimin e vendvotimeve apo qendër numërimi dhe për rrjedhojë, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare zgjedhore do të jetë ai që do të dalë nga procesi i rinumërimit.
Për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, KQZ vendosi pas një verifikimi të kryer në 33 vendvotime, ku rezultoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyronin saktë votat në fletëvotime.
Ndërkohë, edhe të premten, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i vendvotimeve.
“Nga 13 janari, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përfshin rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2,557 sosh. Nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani, janë rinumëruar më shumë se 50% e vendvotimeve, në të cilat më 28 dhjetor është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor”, tha Elezi.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi./KP/


