Lindja e fëmijës së dytë, ishte një pikë kthese për Ekrem Lutfiun, baba i tre fëmijëve. Megjithëse ligjet aktuale në vend nuk i mundësojnë pushime prindërore të gjata baballarëve, Lutfiu arriti të marrë rreth një muaj pushim prindëror, me leje të punëdhënësit, duke e kombinuar edhe me pushimin vjetor.
Ai thotë se rritja e fëmijëve në kushtet momentale në Kosovë është e vështirë për prindërit, sidomos kur bëhet fjalë për muajt e parë pas lindjes.
“Përmes dispozitave ligjore, duhet të parashihen mundësitë të cilat i lejojnë baballarët të kenë mundësi të marrin pushimet sikur nënat. Besoj mund të ndahet përmes kohëve të caktuara, se kur pushimi të merret nga nëna dhe kur nga babai”, thotë Lutfiu për Radion Evropa e Lirë.
Pushimi i lehonisë dhe ai i atësisë, momentalisht rregullohet në kuadër të Ligjit të punës. Ky ligj parasheh deri nëntë muaj pushim me pagesë për nënën, ndërsa për babain parashihen dy ditë pushim me pagesë.
Në vitin 2018, Lutfiut iu nda çmimi “Babai i Vitit” nga organizata Democracy for Development (Demokracia për Zhvillim), për angazhimin e tij në marrjen e pushimit prindëror dhe kujdesin ndaj fëmijëve.
Lutfiu thotë se marrja e këtij çmimi ka ndikuar edhe në rrethin e shoqërisë së tij, për të nxitur baballarët për t’u angazhuar më tepër në barazimin e detyrave të kujdesit ndaj fëmijëve në familje.
“Fëmija është gjëja më shtrenjtë në këtë botë dhe ja vlen ta përshkushtosh kohën më të çmueshme te ta”, thotë ai.
Problem që kërkon zgjidhje ligjore
Ndryshimi i mënyrës së rregullimit të pushimit të lehonisë dhe atij prindëror, ka qenë në tentativë që nga viti 2018.
Në atë kohë, kur ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte Skender Reçica, ishte iniciuar një projektligj i veçantë në lidhje me prindërit që punojnë, duke futur edhe termin pushim prindëror për herë të parë, krahas asaj që njihet si pushim i lehonisë.
Ky ligj nuk arriti të kalojë për aprovim në Qeveri apo në Kuvend të Kosovës.
Në anën tjetër, qeveria momentale që udhëhiqet nga Albin Kurti, ka përmendur çështjen e pushimit prindëror në programin qeverisës.