E vetmja herë kur axurrët fituan titullin kontinental, Roberto Mancini ishte fëmijë. Më 1968, Italia e Valcareggi ishte kampione e Europës. Ky triumf do të ishte historic, edhe pse tashmë do të luhet finalja e “Wembley” të dielën. Një sukses që e vendos futbollin italian përsëri në qendër të skenës. Por, trajneri Roberto Mancini nuk është tipi që kënaqet me kaq:
“Nëse kemi arritur në këtë pikë, meritat nuk janë të miat, por të djemve që besuan në të gjitha këto. Sidoqoftë, nuk ka mbaruar akoma, kemi një punë të gjatë për ta përfunduar. Ne duhet të rikuperojmë forcat që na kanë mbetur dhe të luajmë finalen”.
Me Spanjën, në gjysmëfinale, ishte një stërmundim. Lotaria e penalltive ka shpërblyer axurrët dhe Mancini e pranon: “Lojë shumë e vështirë, Spanja është një ekip i shkëlqyeshëm, luan shumë mirë dhe ta fsheh topin me posedim. Ne patëm një ndeshje të mirë, por jo si zakonisht, e dinim që do të ishte shumë e vështirë” .
Spanjollët pa qendërsulmues, me Morata fillimisht në stol dhe axurrët në vështirësi. “Po, në fillim po, – thotë trajneri, – por më pas gjetëm koordinatat e duhura dhe nuk rrezikuam veçanërisht. Sonte nuk fituam në stilin italian. Ekipet e futbollit sulmojnë dhe mbrojnë, nuk mundemi vetëm sulm, dhe në çdo rast ne kishim shanset tona për të shënuar. Ishte një lojë shumë e hapur”.


