Sporti

Manchester United triumfon ndaj Crystal Palace, fiton tre pikë në ‘Old Trafford’

02/04/2023 18:14
nga:Mergim Rreci

Manchester United rikthehet te suksesi teksa mposhti në shtëpi Crystal Palace me rezultatin 2-1.

Ishte Bruno Fernandes që zhbllokoi shifrat e ndeshjes teksa u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e shtatë. Në fraksionin e dytë, Marcus Rashford gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 62-të pas një kombinimi të bukur me Shaw.

Kur u duk se rezultati ishte i sigurt, një sherr masiv në fushë solli kartonin e kuq të Casemiros me United që mbeti në inferioritet numerik. Crystal Palace reagoi dhe shënoi me anë të Schlupp në minutën e 76-të.

Minutat e mbetura ishin të vuajtura për të besuarit e trajnerit Erik ten Hag, megjithatë “Djajtë e Kuq” ia dolën të ruanin rezultatin dhe në fund dolën me tre pikë duke u ngjitur kështu në vend të tretë me 42 pikë. Nga ana tjetër, Palace mbetet në vend të 12-të me 24 pikë.

Sakaq, në ndeshjet e tjera të Premier League, Aston Villa u mposht në shtëpi me rezultatin 2-4 ndaj Leicester, ndërsa Brentford mposhti 3-0 Southampton. Tre pikë mori edhe Brighton që mposhti 1-0 Bournemouth.