Sporti

Manchester United sërish pazar tek Interi, gati 60 mln Euro për 25-vjeçarin

04/25/2024 09:57
nga:E K

Manchester United po mbyll një tjetër sezon zhgënjyes, teksa me 6 javë nga fundi i kampionatit gjasat janë që të mbetet jashtë kompeticioneve europiane për vitin e ardhshëm dhe vëmendja e drejtuesve është përqendruar te merkatoja e verës.

Në pritje për të mësuar nëse do të konfirmohet apo jo trajneri holandez. Eric Ten Hag. “Djajtë e Kuq” kanë nisur të listojnë futbollistët që do të provojnë t’i afrojnë në verë në “Old Trafford”.

Një nga emrat kryesorë në që synohet nga Manchester United është mbrojtësi italian i Interit, Alessandro Bastoni, i cili është shndërruar në një nga pikat më të forta të prapavijës si në klubin milanez, ashtu edhe te Italia e Spallettit.

Media britanike bën me dije se “Djajtë e Kuq” kanë nisur kontaktet me agjentin e Bastonit, të cilit i kanë konfirmuar dhe gatishmërinë për të paguar 60 milionë euro për kartonin e mbrojtësit.

Edhe marrëdhëniet me Interin janë mjaft të mira, pasi verën e kaluar ishte kamerunasi Andre Onana që u transferua nga Milano drejt Manchesterit, megjithatë zikaltrit nuk kanë ndërmend të shesin Bastonin pa përfunduar Europiani.

Kjo pasi kampionët e Italisë shpresojnë se me një paraqitje të mirë në Gjermani, skuadrat e interesuara për Bastonin mund të shtohen dhe rrjedhimisht të rritet edhe vlera e ofertave ndaj tij.