Drejtuesit e Manchester Cityt kanë refuzuar një ofertë prej 35 milionë funtesh nga Chelsea për 21-vjeçarin anësor Cole Palmer, ka bërë të ditur gazetari Jacob Steinberg i “Guardian”.
Palmer ka qenë në formë të shkëlqyer që nga fillimi i sezonit, duke shënuar dy herë në tre paraqitjet e tij deri më tani.
Pep Guardiola është pyetur disa herë në javët e fundit nëse Palmer do të mbetet në skuadër, por menaxheri i Cityt nuk ka dhënë kurrë një përgjigje përfundimtare, pavarësisht lavdërimeve të shumta për të. Megjithatë, pritet që “qytetarët” në asnjë rast të mos dëshirojnë ta shesin Palmerin dhe opsioni i vetëm është ta huazojnë për një sezon.
Ai bëri gjithsej 25 paraqitje për kampionët në të gjitha garat sezonin e kaluar. Kontrata e tij me Cityn është deri në verën e vitit 2026.
/GazetaBlic Sport


