Sporti

Manchester City dënon ashpër abuzimet raciste ndaj Semenyo dhe Guehi

05/05/2026 17:46
nga:Mergim Rreci

Manchester City ka reaguar zyrtarisht pas incidenteve të ndodhura mbrëmjen e kaluar, duke dënuar ashpër abuzimet raciste ndaj lojtarëve.

Në një deklaratë publike, klubi anglez shprehu mbështetjen e tij për Antoine Semenyo, i cili ishte subjekt i abuzimeve raciste gjatë ndeshjes së fundit. “Manchester City dënon fuqishëm abuzimin racist të drejtuar ndaj Antoine Semenyo në ndeshjen e djeshme”, thuhet në reagimin e klubit, transmeton GazetaBlic Sport.

“Ne mirëpresim veprimin e shpejtë të ndërmarrë nga Everton dhe policia për të identifikuar individin përgjegjës”, vijon deklarata, duke vlerësuar reagimin e autoriteteve për trajtimin e rastit.

Klubi gjithashtu bëri të ditur se edhe mbrojtësi Marc Guehi ka qenë viktimë e një sërë postimesh raciste në rrjetet sociale. “Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer kur dëgjojmë se Marc Guéhi ka qenë subjekt i postimeve të neveritshme raciste në mediat sociale”, thekson Manchester City.

Në përfundim, drejtuesit e klubit ritheksuan qëndrimin e tyre të palëkundur kundër çdo forme diskriminimi. “Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Antoine dhe Marc dhe nuk do të pranojmë kurrë diskriminimin e çfarëdo lloji në lojën tonë.”

/GazetaBlic Sport/