Sporti

Manaj zbarkon në Turqi, pritet si hero nga tifozët e Sivassporit

01/31/2026 17:21
nga:Mergim Rreci

Rey Manaj do të vazhdojë karrierën e tij tek Sivasspor.

Ashtu siç e kishte njoftuar, Rey Manaj zbarkoi në aeroportin e Sivasit në Turqi në orën 17:00.

Mijëra tifozë të Sivassporit ishin aty për të mirëpritur rikthimin e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, i cili nuk ngurroi të nxiste korin e ultrasve turq.

28-vjeçari e mbylli aventurën me klubin Al Sharjah pas 6 muajsh dhe do ta vazhdojë pjesën e mbetur të sezonit me skuadrën turke që është pjesë e ligës së parë.

Manaj u largua nga Sivasspori në verë, por aty qëndroi për 2 sezone ku kaloi momentin më të mirë të karrierës së tij dhe arriti të shënonte në total 34 gola. Klubi zgjidhi problemet financiare dhe zhbllokoi merkaton duke siguruar sërish shërbimet e lojtarit kuqezi.