Lajme

Manaj uron shtetin shqiptar: Gjenerata jonë është me fat që po e jeton këtë kohë!

11/28/2024 17:14
nga:G C

Me rastin e Festës së Flamurit, kandidati i LDK-së për deputet, Shkëmb Manaj ka uruar shqiptarët për 112 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, raporton GazetaBlic.

Ai thekson se kjo ditë shënon vendosjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe përkujton figura historike si Skënderbeu, Ismail Qemali, Ibrahim Rugova, dhe Adem Jashari, të cilët kontribuan për pavarësinë dhe unitetin kombëtar.

Manaj vlerëson se gjenerata e sotme ka fatin të jetojë në “Koha e Shqiptarëve”, një periudhë e forcimit të shtetit dhe krenarisë kombëtare. Ai mbyll me një urim për kombin shqiptar dhe miqtë e tij, duke kërkuar bekimin e Zotit.

E plotë:

112 vjet shtet shqiptar!

Nga zemra, gëzuar Festën e Flamurit për çdo shqiptar, kudo që ndodhet! Kjo ditë është dita me e madhe e kombit shqiptar, ditë e vendosjes së themeleve të shtetit në një pjesë të kombit tonë.

Rrugëtimi ynë i lavdishëm e historik, nuk u ndal asnjëherë. Ai nisi me Skënderbeun, simbolin e qëndresës dhe unitetit kombëtar, u bë realitet me aktin historik të shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë me 1912, për të ecur tutje me Lidhjen Demokratike të arkitektit të pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të Komandantit legjendar Adem Jasharit, që u kurorëzuan me sukses me shpalljen e pavarësisë së Kosovës!

Gjenerata jonë është me fat që po e jeton këtë kohë, e cila do të mbetet në histori si Koha e Shqiptarëve – kohë e unitetit, e zhvillimit ekonomik, e forcimit të shtetit dhe krenarisë kombëtare!
Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe miqtë e tij!