LDK do të ketë rezultat më mirë se në shkurt të këtij viti.
Kështu mendon kandidati për deputet i kësaj partie, Shkëmb Manaj, që në listë ka numrin 29.
Ai për Gazeta Blic ka thënë se është momenti që Qeveria e Kosovës duhet të udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me partnerë të tjerë në mënyrë që Kosovës t’i hapet perspektiva e zhvillimit dhe Kosova të jetë pjesë e proceseve integruese.
“Ne mendojmë që në këto zgjedhje do të dalim parti e konsoliduar, do të dalim shumë më mirë se zgjedhjet e shkurtit të këtij viti. Besoj se qytetarët e Republikës së Kosovës tashmë e kanë të qartë që vendit i duhet stabiliteti politik dhe institucional dhe secili qytetar i Republikës së Kosovës e dinë fare mirë që gjithmonë Kosovës i duhet ky stabilitet politik dhe institucional, kur i duhen institucionet e qëndrueshme, institucione që janë në mbrojtje të qytetarit të vendit, në zhvillimin e vendit, ruajtjen e partneritet me miqtë e Kosovës, askush më mirë se Lidhja Demokratike nuk mund t’i kryejë këto punë. Është momenti që Qeveria e Kosovës duhet të udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me partnerë të tjerë në mënyrë që Kosovës t’i hapet perspektiva e zhvillimit dhe Kosova të jetë pjesë e proceseve integruese, sepse mendojmë që procesi integrues është stopuar, është ndalur. Ju e dini që vendi për shumë vië fatkeqësisht ka qenë në sanksione për shkak të politikës jo të mençur të kësaj qeverie andaj ne duhet të hapim këtë perspektivë të integrimeve sidomos në NATO. Anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë prioritet i prioriteteve të qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka vlerësuar ai.
Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit të LDK-së me VV-në, Manaj ka thënë se vijat e kuqe nuk duhet të ketë dhe duhet gjetur formulat më të mira për të qeverisur me vendin.
“Gjithçka varet nga rezultatet e zgjedhjeve, rezultati i zgjedhjeve pasta përcakton formulën në qeverisje. Në parim unë gjithmonë kam qenë dhe mbetem që ne duhet t’i heqim vijat e kuqe në skenën politike të Kosovës. Nuk na duhen vijat e kuqe. Unë mendoj që çdo subjekt politike ka rolin e vet në vend, secili subjekt politik e përfaqëson një pjesë të qytetarëve të Kosovës. Prandaj ne duhet t’i gjejmë formulat më të mira për të qeverisur vendin, së bashku me partnerë, e gjithë kjo varet pastaj prej çështjeve programore dhe definimit të këtyre çështjeve si dhe prej proceseve që vijnë në Kosovë. Unë mendoj që Kosovës i duhet një qeverisje stabile, që nënkupton duhet t’i ketë 2/3 e deputetëve të Republikës së Kosovës. Ne në këtë fazë në prill do të zgjedhim edhe presidentin e Republikës, që do të thotë e kërkon një shumicë prej 2/3 e pjesëmarrjes dhe të votimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, mendoj që një formulë e tillë me të 2/3 krijon një qeverisje stabile, e zgjedhim presidentin e Republikës së Kosovës, i themelojmë të gjitha institucionet e vendit, të gjitha proceset që do të vijnë për Republikën e Kosovës do të thotë kërkojnë stabilitet politik dhe institucional sepse ne do të ballafaqohemi edhe me kërkesa nga Bashkësia Ndërkombëtare prandaj duhet të jemi të përgatitur dhe ti kryejmë detyrat që i merr Republika e Kosovës”, ka potencuar ai.
Ai përmend dëmin që VV ia ka bërë Kosovës në këto vite, teksa thotë se LDK nuk do të lejojë që vendi të mbetet pa institucione.
“Unë mendoj që nuk duhet të përjashtohen formulat, ne mendojmë që Lëvizja Vetëvendosje gjatë kësaj qeverisje 5 vjeçare i ka bë dëm të madh Kosovës edhe në kuptim të zhvillimit të brendshëm, ndërkombëtare, partneritetit, prandaj në këto rrethana që jemi kemi bashkëpunime më të gjera se me VV-në, kemi kërkuar që të kemi një qeveri pas shkurtit, ku të përfshihen të gjitha partitë politike, qeveri e unitetit, por që është refuzuar nga Vetëvendosje por rezultati i zgjedhjeve do ta përcaktojë se me kë duhet të qeverisim. E theksoj edhe njëherë që LDK nuk do të lejojë që vendi të mbetet pa institucione, por ne jemi që ta udhëheqim qeverinë e Kosovës sepse mendojmë se një qeverisje e LDK-së është në interes të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Shkëmb Manaj, kandidat i LDK-së për deputet./Gazeta Blic/


