Lajme

Manaj kritikon doracakun për Edukimin Seksual: Cënon Interesin më të mirë të fëmijëve

11/14/2024 17:47
nga:G C

 Shkemb Manaj nga LDK-ja ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve, duke u bazuar në një prej parimeve kryesore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, raporton GazetaBlic.

Ai ka rikujtuar se neni 50, pika 4 e Kushtetutës përcakton se “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga ato private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.”

Në një postim të fundit, Manaj ka shprehur shqetësimin e tij për përmbajtjen e Doracakut për Edukimin Seksual të Nxënësve, duke theksuar se ai mund të cënojë interesin dhe integritetin e fëmijëve. Ai ka kërkuar që autoritetet kompetente të ndërmarrin masa për të ndaluar zbatimin e këtij doraci, duke argumentuar se përmbajtja e tij mund të përbëjë rrezik për mirëqenien dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.

“Si shoqëri, duhet të sigurohemi që të drejtat dhe interesat e fëmijëve janë të mbrojtura në çdo moment. Prandaj, është detyrë e institucioneve kompetente që të marrin masa për të ruajtur integritetin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë,” shkruan Manaj.

E plotë:

Mbrojtja e interesit me të mirë të fëmijëve

Neni 50 pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka përcaktuar se: “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve”.

Me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe mirëqenies së fëmijëve, duke siguruar që të respektohen të drejtat dhe interesat e tyre, autoritetet kompetente publike duhet të marrin vendime për ndalimin e zbatimit të Doracakut për Edukimin Seksual të Nxenësve për shkak të përmbajtjes së tyre që cenon interesin me të mirë të fëmijëve.