Lajme

Maloku: Zhurma për zgjedhjet po na shpërqendron nga sfidat që e presin Kosovën

02/12/2025 18:05
nga:G B

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Fadil Maloku, ka shprehur kritika ndaj institucionit për menaxhimin e procesit zgjedhor dhe vonesat në publikimin e rezultateve.

Në emisionin FIVE të Dukagjinit, Maloku theksoi se KQZ-ja ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur më mirë, si në aspektin teknologjik ashtu edhe në organizimin zgjedhor.

“Mendoj që KQZ-ja ka pas kohë që të jetë më i përgatitur edhe në kuptimin e teknologjinë edhe në kuptimin e përgatitjeve zgjedhore. Për shkak se KQZ është një institucion, që është aktiv gjatë tërë vitit. Mendoj që është dashur patjetër i parashikoj këto momente, të cilat vërtetë kanë shkaktuar konfuzion dhe shkaku i një mungesës së një alternative se ka dyshime se uebfaqja e KQZ-së, në një farë mënyrë atakuar nga hakerët”, ka thënë Maloku në FIVE.

Në lidhje me zgjidhjen e mundshme të situatës, Maloku tha se rinumërimi i votave mund të jetë një opsion, veçanërisht nëse partitë politike vendosin ta kontestojnë të gjithë procesin zgjedhor.

Megjithatë, ai kritikoi “zhurmën” që po krijohet rreth rezultatit zgjedhor, duke e konsideruar atë një pengesë në një moment kur Kosova po përballet me sfida të rëndësishme për të ardhmen e saj.

“Ka zgjidhje për këtë, hajde të themi ndoshta edhe paritë politike mund ta kontestojnë krejt procedimin zgjedhor, zgjidhja është të rinumërimi. Mirëpo ajo çka është shqetësuese është se po bëhet shumë zhurmë në këtë fazë, kur na presin sfida të rëndësishme para qeverisë së ardhshme.

Por më shumë është shqetësuese çështja dhe problemi i sfidave që e presin Kosovës, pasi të bëhet konstituimi dhe instalimi i qeverisë së re. Sfida që janë më të rëndësishme sesa kjo zhurma se kush me kë do ta formojë qeverinë aktuale”, ka shtuar Maloku.