Njohësi i çështjeve politike në vend, Albinot Maloku, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me takimin Kurti-Vuçiq që pritet të mbahet nesër në Bruksel në margjina të Samitit të BE-së.
Maloku tha se ky takim pritet të ketë një peshë të veçantë sidomos pas ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë.
Ai tha se kryetemë pritet të jetë ‘modeli evropian’ sjellë nga emisarët evropianë dhe amerikanë të shtunen në Prishtinë.
“Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili pritet të mbahet nesër padyshim që është në vazhdën e gjetjeve më të mira drejt jetësimit të pajtimit në Bruksel e Ohër mes palëve. Kjo para së gjithash është edhe pritje që ka faktori ndërkombëtar nga palët dialoguese. Me siguri se mund të jetë takim i një peshe të veçantë, sidomos pas ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti në Kosovë. Gjithsesi, që kryeministri Kurti i ka dhënë PO-në planit Franko-Gjerman, ose siç tani njihet ‘Marrëveshja Bazike’, duke ofruar e kërkuar edhe nënshkrimin. Pasi që në berthamën e ‘Marrëveshjes Bazike’ është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, me siguri që takimi i nesërm do ta ketë për kryetemë “modelin evropian” për Asociacionin të dorëzuar nga pesëshja diplomatike euro-amerikane që vizitojë Prishtinën e Beogradin gjatë muajt rrjedhës” deklaroi Maloku për “Gazeta Blic”
Maloku komentoi edhe deklaratën e fundit dhënë nga Qeveria e Kosovës të cilët kanë shprehur dakoordimin për të vazhduar dialogimin në kuadër të ‘planit të ri’ i cili u është prezantuar pak ditë më parë.
Sa i përket Asociacionit ai tha se mbetet për t’u parë se si do të veprojë kryeministri Kurti.
“Qeveria thotë se kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, mirëpo nuk besoj që do t’i lihet më hapësirë palëve të provojnë diskutime mbi diskutimet”
“A do ta pranojë kryeministri Kurti Asociacionin, kjo ngelet për tu parë sesi i ka bërë llogarit ai e Qeveria e tij, se deri në cilën pikë të masave të faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës mund të përballojë me durim Kosova e qytetari i saj! E më pastaj edhe si do ta arsyetojë pranimin e gjësë të cilën e ka kundërshtuar fort” analisti Albinot Maloku për “Gazeta Blic”.

Albinot Maloku, Njohës i çështjeve politike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së pesë emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian.
Kështu konfirmuan nga zyra e kryeministrit duke thënë po ashtu se “takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me pesë emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”.
“Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, kanë thënë nga zyra e kryeministrit.
/Gazeta Blic/


