Sociologu Fadil Maloku ka vlerësuar se mungesa e një takimi, deri tash, mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk është thjesht një zhvillim i zakonshëm politik, por tregues i një krize më të thellë në kulturën e komunikimit dhe dialogut në Kosovë.
Sipas Malokut, ky “abstenim” i mundshëm nga dialogu dëshmon për një transformim të heshtur të demokracisë procedurale drejt një forme më të fragmentuar dhe konfliktuale të qeverisjes.
“Mos-takimi midis Kryetarit të PDK-së dhe kryeministrit aktual, Albin Kurti, në gjykimin tim sociologjik, nuk mund të kualifikohet vetëm si një akt politik i zakonshëm, por, para së gjithash, si një parametër evident i një krize të kulturës së komunikimit dhe dialogut politik”.
“Pra, “abstenimi” eventual – po e quajmë kështu, për shkak se ende ka kohë që takimi midis PDK-së dhe kryeministrit Kurti të ndodhë – në njëfarë mënyre na dëshmon edhe një fakt interesant që pak komentohet në diskursin tonë publik. Ky fakt, sa po kuptoj unë, na paralajmëron se sistemi i demokracisë procedurale është duke ndryshuar heshtazi dhe pa ndonjë paralajmërim pompoz mediatik, drejt një forme të fragmentuar dhe konfliktuale të qeverisjes”, thotë Maloku.
Ai theksoi se mungesa e komunikimit po përdoret si mjet për ruajtjen e pushtetit, duke e lidhur këtë situatë edhe me ngërçet e vazhdueshme politike, përfshirë procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Këtu duhet thënë publikisht se mungesa e komunikimit politik po shndërrohet në një mjet për ta “mirëmbajtur” pushtetin. Sepse, si mund të interpretohet ndryshe ripërsëritja e ngërçit rreth përzgjedhjes së Presidentit/es?”, shton ai.
Maloku e cilëson këtë gjendje si tipike për demokracitë hibride dhe të brishta, duke paralajmëruar për një çrregullim më të thellë strukturor të shtetësisë së Kosovës.
Në këtë kontekst, ai e sheh qasjen aktuale politike si fillimin e një “Republike të tretë”, një drejtim që, sipas tij, po merr formë në mënyrë graduale.
“Kjo është një krizë që zakonisht i përcjell demokracitë hibride dhe të brishta, ku aktorët kryesorë politikë, me sjelljet e tyre nonshalante, refuzojnë komunikimin minimal institucional për çështje me rëndësi strategjike, siç është zgjedhja e presidentit. Dhe kjo situatë, sipas gjykimit tim, nuk ka të bëjë thjesht me mungesën e vullnetit politik, por, de facto e madje edhe de jure, është një “virus” evident i një çrregullimi më të thellë strukturor të shtetësisë së Kosovës. Në fund, këtë ndryshim kursi të Albin Kurtit, unë e shoh edhe si fillimin e një “Republike të tretë” – një mision ky që ai ia ka vënë vetes dhe subjektit që përfaqëson…”, tha Maloku për GazetaBlic.
Kur pritet takimi Kurti-Hamza?


