Lajme

Maloku: LVV-ja s’po tregon gadishmëri për të bashkëpunuar në formimin e institucioneve!

06/14/2025 17:27
nga:Y I

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar Qeveri të Unitetit si zgjedhje për të dalë nga ngërçi institucional ku është futur vendi.

Abdixhiku ka shpalosur në një konferencë për media planin prej 15 pikash.

Në lidhje me propozimin e Abdixhikut ka folur për “Gazeta Blic” politologu, Albinot Maloku.

Maloku tha se propozimet e ndryshme të subjekteve politike që synojnë largimin e rrethanave bllokuese janë të mirëpritura dhe pozitive.

Ai tha se ‘këto iniciativa dëshmojnë gatishmërinë e pjesës së madhe të skenës politike për të lënë pas polarizimet e bllokadat’.

“Propozimet e ndryshme të subjekteve politike që synojnë largimin e rrethanave politike bllokuese, të cilat po vazhdojnë prej më shumë se katër muajsh pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, janë mëse të mirëpritura dhe përbëjnë një shenjë pozitive në drejtim të përparimin të situatës. Këto iniciativa dëshmojnë gatishmërinë e pjesës së madhe të skenës politike për të lënë pas polarizimet e bllokadat dhe për të kontribuar në formimin e institucioneve funksionale që i nevojiten Kosovës” tha Maloku për “Gazeta Blic”.

Maloku potencoi se LVV-ja e cila doli e para në zgjedhje, s’po tregon gadishmëri për të bashkëpunuar në formimin e institucioneve.

“Megjithatë, subjekti politiki që doli i pari në zgjedhje vazhdon të mbetet i ngurtë në pozicionin e tij, duke mos treguar fleksibilitet apo gatishmëri për të bashkëpunuar në formimin e institucioneve. Kokëfortësia dhe egoizmi i shfaqur në këtë fazë janë duke i bllokuar jo vetëm proceset institucionale, por edhe vetë qytetarin, i cili pret dhe meriton një qeverisje funksionale dhe përkushtim ndaj interesave të tij” deklaroi ai.

Politologu Maloku tha se Koosva ka nevojë për një qeveri koalicioni, në mënyrë që të garantohet stabiliteti, përfaqësimi dhe përmbushja e aspiratave të qytetarëve.

“Qytetarët me 9 shkurt 2025 nuk i thanë po nje qeverie monopoli të një partie të vetme apo edhe i të gjitha partive bashkë. Kosova ka nevojë për një qeveri koalicioni, në mënyrë që të garantohet stabiliteti, përfaqësimi dhe përmbushja e aspiratave të qytetarëve. Demokracia merr kuptim të plotë kur ekziston një qeveri e qëndrueshme dhe një opozite aktive që monitoron dhe sfidon vendimet qeverisë, duke e mbajtur atë përgjegjëse dhe duke siguruar transparencë.Prandaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë aktorët politikë të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe dëshirë për kompromis, duke lënë mënjanë interesat e ngushta partiake në funksion të interesit të përgjithshëm të shtetit dhe qytetarëve të tij” tha Maloku në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/