Analisti Albinot Maloku ka reaguar ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës, duke e kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për arritjen e qëllimeve të saj.
Maloku për GazetaBlic ka theksuar se, edhe pse është e vërtetë që Republika e Kosovës është demokratike dhe procesi zgjedhor është pjesë e demokracisë, nuk mund të arrihen qëllimet me çdo mjet, pa e pasur parasysh nevojën për dialog dhe bashkëpunim.
“Po, është e vërtetë zotni Konjufca që Republika jonë është demokratike dhe procesi zgjedhor është proces i demokracisë, mirëpo është mëkate i madh me provuar me arrit qëllimin me secilin mjetë! Demokracia nuk është me vepruar e fol çka të vije te goja e të mundësia. Pasja e qëllimit është e shëndetshme, por jo edhe në emër të qëllimit mos me lënë pa shtruar asnjë rrugë paqeje e bashkëpunimi, siç ka ditë të bëjë partia juaj”, tha Maloku.
Maloku gjithashtu e ka kritikuar LVV-në për përdorimin e metodave të papranueshme për të arritur qëllimet politike, duke thënë se kjo është një formë e pa moralshme politike.
“Modifikimi i metodave për të arritur qëllimin pa shtruar asnjë rrugë bashkëpunimi është angazhim edhe më i pa moralshëm politik. Është mëkate me provuar bile”, shtoi ai.
Ai theksoi gjithashtu se është e pamundur që LVV të formojë një qeveri të vetme, një qëndrim që Konjufca duhet ta kuptojë dhe ta pranojë, ashtu siç duhet të bëjë edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti.
“Mirë që po e di e pranon që qenka e pamundur me e bë Qeverinë vetëm Vetëvendosja! Nuk duhet të duket veç juve zotni Konjufca e pamundur, por edhe kryetarit tënd duhet ti duket ashtu”.
Në fund, Maloku vuri në dukje se politika është e bazuar mbi interesa, por interesat duhet të mbajnë një balancë mes pranimit dhe mos pranimit, dhe nuk mund të përfaqësojnë vetëm interesat e një partie.
“Po, politika ndërtohet mbi interesa, mirëpo edhe interesat e ruajnë balancën mes pranimit e mos pranimit, ose siç po thoni ‘urrejtjen dhe dashurin’ edhe pse asnjëra e as tjetra nuk i përkasin të politikshmës o dyshi i partisë! Jo të gjitha interesat që kishit e përfaqësoni janë të Republikës”, tha Maloku për GazetaBlic.


