Lajme

Maloku: ‘E panatyrshme që në një parti të jenë edhe ‘djathtisti e majtisti, intelektuali e pallavragjiu, besimtari e i pabesimtari’

05/13/2026 17:50
nga:Y I

Subjektet politike kanë bërë publike listat e kandidatëve për deputet.

Qytetarët janë njohur me emrat e atyre që pritet t’iu besojnë votën në zgjedhjet e 7 qershorit.

Si pritet të jetë rënditja dhe a do të ketë befasi në zgjedhje, ka folur për ‘Gazeta Blic’ njohësi i çështjeve politike në vend, Albinot Maloku.

Maloku tha se nga listat e ofruara nga subjektet politike do të duhej që në dhjetëshen e tyre  të mos ishin kandidatët që në zgjedhjet e kaluara u përfolën për manipulim me votën.

Ai tha se secili nga subjektet politike mund t’ia japë Kuvendit dhjetë deputetë dhe punëtorë që sipas tij ka nevojë Kuvendi.

“Qytetarët, nga listat e ofruara të subjekteve politike, do të duhej që në dhjetëshen e tyre domosdoshmërisht të mos i kenë ata kandidatë që në zgjedhjet e kaluara u përfolën për manipulim me votën. Gati secili subjekt politik mund t’i japë legjislaturës së njëmbëdhjetë dhjetë deputetë dinjitozë dhe punëtorë, për çfarë ka nevojë edhe Kuvendi i Kosovës. Në këto lista, me siguri, ka dhjetë të tillë. Me këtë përzgjedhje u jepet leksion edhe kryetarëve të partive që kanë lejuar përfshirjen e këtyre figurave në listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend” deklaroi Maloku.

Analisti Maloku tha se nuk pritet befasi e veçantë në këto zgjedhje.

Ai potencoi se është e panatyrshme që në një subjekt politik të jenë edhe ‘djathtisti dhe majtisti, intelektuali dhe pallavragjiu, besimtari dhe i pabesimtari’

“Befasi të veçanta nuk mund të them se pres, pasi me befasi sikur jemi mësuar, pra që deputetë të bëhen ato figura që, siç kanë thënë disa prej tyre, “nuk kanë lidhje me politikën”.Mirëpo, çështja është se në këtë proces zgjedhor interesi thelbësor i subjekteve politike është që të dalin si parti në pozicione më të fuqishme”

“Ndërkohë, është e panatyrshme në një subjekt politik të jenë djathtisti dhe majtisti, intelektuali dhe pallavragjiu, besimtari dhe i pabesimtari, e të pretendohet se përfaqësohet një rrymë apo orientim politik më shumë sesa një interes për fuqi politike. Kjo është kur racionaliteti shpërftyrohet në formën e saj më të keqe”

“Paralelisht me këtë, të provohet të prezantohet përgatitja, parimi dhe orientimi i individit derisa sheshasi duket se më shumë kemi të bëjmë me interesin individual. Natyrshëm nuk ka sensë kjo” tha Maloku në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/