Lajme

Maloku: Deklarata e O’Brien, shqetësuese, vendimi për dinarin i drejtë por duhej koordinim!

02/14/2024 17:20
nga:Y I

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Albinot Maloku, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me rregulloren e re të BQK-së e cila ndalon përdorimin e dinarit.

Maloku tha se BQK-ja si dhe Qeveria nuk po i studiojnë kapacitetet e tyre reale për të jetësu edhe vendimet e drejta dhe vjen momenti që një çështje e politikës së brendshme diskutohet në Këshillin e Sigurimit.

Ai tha se për një vendim të tillë duhej të kishte një koordinim, matje të kompetencës, sa është e mundur të jetësohet vendimi i drejtë dhe pastaj të merrej vendimi.

“Rregullorja e BQK-së si e tillë është e bazuar në ligj, për arsye se në Republikën e Kosovës ka një ligj sa i përket njësimit të valutës së përdorur për blerje ditore, shkëmbime tregtare etj dhe kjo rregullore ka sjellë në vëmendje nevojën që i njëjti ligj të vlejë për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Rregullorja si e tillë gjithsesi është e shkëlqyer dhe vendimi është i mirë, këtë nuk e konteston askush mirëpo kam përshtypjen që vendosësit në Republikën e Kosovës siç është BQK-ja dhe deri tek Qeveria nuk është se po i studiojnë kapacitetet e tyre reale për të jetësu, qoftë edhe vendimet e drejta. Dhe krijohen situata të pahijshme që vie momenti ku diskutohet edhe në Këshillin e Sigurimit për një çështje që është krejtësisht e politikës së brendshme së shtetit të Kosovës. Dihet mirfilli se kapacitetet aktuale të Republikës së Kosovës dhe modeli i ndërtimit të shtetit ka shkuar në koordinim me veprimet e faktorit ndërkombëtar “

“Të gjitha këto anësoret që ndodhën, konsideroj se po lejnë shije të pahijshme dhe joseriozitet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe vendosjen e Kosovës që ” nuk po e analizojnë mundësinë e jetësimit tek të njëjtat dokumente”. Krijohen situata të joseriozitetit dhe më pastaj ulin edhe atë krenarinë. Nëse kemi një vendim që është jashtëzakonisht i drejtë, rregullore shumë e drejtë, kemi momentin ku duhet ta pezullojmë dhe kjo bie totalisht në shpërputhje me seriozitetin e institucionit i cili vendos rregullin e drejtë. Kjo ndodh dhe do të ishte e rekomandueshme, duke e njohur realitetin aktual në shtetin e Kosovës, të ketë një koordinim, matje pulsi, matje e kompetencës, sa është e mundur të jetësohet vendimi i drejtë dhe pastaj të merrej vendimi” deklaroi Maloku në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.

Maloku ka folur gjithashtu edhe në lidhje me deklaratën e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha ‘se mund të rrezikohet partneriteti me Kosovën’ si dhe qëndrimin e Francës dhe Britanisë së Madhe në Këshillin e Sigurimit.

Ai tha se në këto momente t’i kthehet ‘projektori’ Kosovës, është jashtëzakonisht shqetësuese.

“Ata presin të ketë një koordinim, pranueshmëri, dhe përqojnë edhe këto mesazhe që janë jashtëzakonisht shqetësuese, për faktin që në njëfarë forme ishte një ‘kërcënim’ se në qoftëse nuk respketoni partneritetin atëherë edhe ne nuk do të respketojmë partneritetin. A është e shëndetshme me ardhë kjo situatë për Republikën e Kosovës ku aktualisht në politikën e jashtme kemi stagnim, nuk flet askush për çështjen e njohjeve që duhej të ishte prioritet, nuk flet askush për anëtarësim në organizata ndërkombëtare , dhe kjo është një situatë jashtëzakonisht e keqe që nuk i ndihmon aspak prespektivës së Republikës së Kosovës në drejtimin e faktorizimit të saj në arenën ndërkombëtare”

“Tani a po i mendon Qeveria e Republikës së Kosovës konstilacionet e ndërtimit të shtetit?-Jo! Për arsye se kam përshtypjen se po ndjeket ngapak nga emocioni populist i krijimit të situatave politike që për pasojë nuk kanë efekt afatgjatë sa kanë efekt konsumues të momentit ditor. Harrohet komplet që shteti nuk është moment konsumues është me jetëgjatësinë e vet ku në situata të ndryshme duhet të kesh urtësinë duke njohur pozicionin, fuqinë dhe duke njohur miqtë dhe armiqtë dhe konstilacionet gjeopolitike që në këtë ‘rrëmujën’ ndërkombëtare që është aktualisht ti kthehet ‘projektori’ Republikës së Kosovës nga një nivel instance e lartë në kuadër të shtetit amerikan me atë fjalor është  shqetësuese” deklaori Maloku për “Gazeta Blic”