Sporti

Malisheva sifdon Dritën, Pira: Besoj se do të marrim pikë në këtë takim

02/22/2022 09:56
nga:Mergim Rreci

Superliga e Kosovës vazhdon me xhiron e 21-të në këtë mesjavë.

Në program janë të planifikuara disa ndeshje interesante, në mesin e tyre edhe ajo mes Malishevës dhe Dritës në stadiumin “Liman Gegaj”.

Të dy skuadrat barazuan në ndeshjet e fundjavës së kaluar, por do të synojnë fitoren në këtë takim.

Futbollisti i skuadrës së Malishevës, Arbër Pira tha për ‘GazetaBlic Sport’ se beson se do të arrijnë rezultat pozitiv ndaj “Intelektualëve”.

Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër Dritës, por unë besoj në potencialin e shokëve të mi dhe se jam i bindur se mund të marrim pikë kundër Dritës”, tha fillimisht ai.

Më pas ai foli edhe për objektivat e klubit, atje ku synohet që të sigurohet mbijetesa dhe më pas të shpresohet për një pozitë më të mirë në tabelë.

Me këto ardhjet e reja kemi një fond të mirë lojtarësh që na munguan në edicionin vjeshtor. Shpresojmë dhe besojmë se mund të mbetemi në Superligë”, përfundoi Pira për ‘GazetaBlic Sport’.

/GazetaBlic Sport/