Malisheva po kalon një mbrëmje shumë të vështirë në “Easter Road”, ku është në disavantazh 3-0 ndaj Hibernianit pas 45 minutave të para të ndeshjes kthyese të raundit të dytë kualifikues në UEFA Conference League.
Skuadra kosovare, e cila kishte fituar 2-0 në ndeshjen e parë, ka zhvilluar një pjesë të parë nën nivelin e pritur. Hiberniani ka dominuar lojën, ka ushtruar presion të vazhdueshëm dhe ka shfrytëzuar rastet e krijuara, duke përmbysur rezultatin e përgjithshëm.
Nga ana tjetër, Malisheva ka hasur vështirësi në organizimin e lojës, ka humbur shumë duele në mesfushë dhe ka qenë pothuajse e pafuqishme në repartin ofensiv, duke mos arritur të rrezikojë seriozisht portën kundërshtare.
Skuadra kosovare tani përballet me një mision të vështirë në pjesën e dytë, ku do t’i duhet të reagojë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
/GazetaBlic Sport/


