Zgjedhjet Lokale

Malisheva mbështet Ekrem Kastratin

11/12/2021 00:53
nga:Gazeta Blic

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur një tubim më përkrahës të shumtë në Malishevë.

Në këtë tubim mori pjesë edhe lideri i këtij subjekti, Fatmir Limaj.

Ky i fundit tha se prezenca e qytetarëve tregon se ky nuk është tubim i Nismës por gjithë qytetarëve të Malishevës që kanë vendosur që Ekrem Kastratin ta votojnë më 14 nëntor.

“Malisheva ka ditur gjithmonë të bashkohet, pavarësisht garave momentale, kur do herë që kanë dashur ta fuqizojnë Malishevën janë bërë bashkë rreth së mirës, për ta ndalur të keqen dhe sonte jemi bashkë në këtë sallë pa dallim partie e bindje politike”, ka thënë ndër të tjera Limaj në këtë tubim.

“Ne këtu jemi bashkuar me vullnet dhe energji pozitive. Ne i kemi dhënë fuqi dhe respekt demokracisë në komunën tonë. Ekrem Kastratin ka vendos populli i Malishevës masovisht që të jetë i pari i komunës më 17 tetor. Ai nuk është më kandidat i Nismës, por kandidat i shumicës së qytetarëve të Malishevës. Sot, Ekremi ka një kundërkandidat që Malisheva i ka thënë jo, por ligji e ka mbajtur në lojë. Por, më 14 nëntor qytetarët e Malishevës do t’i thonë jo me votë dhe me ligj”, ka shtuar Limaj.

Më tutje, kreu i Nismës ka thënë se pazaret e individëve nuk mund ta deformojnë vullnetin e qytetarëve të Malishevës.

Ndërsa, Ekrem Kastrati ka thënë se është i nderuar me përkrahjen masive të gjithë qytetarëve pa dallime partiake.

Ai ka thënë se nga 14 nëntori do t’i shërbej pa dallim të gjithë qytetarëve të Malishevës me nderë e devotshmëri.