Kandidati i Nismës për kryetar të Malishevës, Ekrem Kastrati kërkon edhe një mandat për të përfunduar atë që ka nisur. Synimi është që të përfundohet pjesa e dytë e projektit Malisheva Urbane dhe të modernizohen fshatrat.
“Sigurisht që synojmë edhe një mandat 4 vjeçar që të vazhdojmë me pjesën e dytë të Malishevës Urbane në pjesë të qytetit që janë kruciale për përmbushjen e premtimit tonë elektoral. Edhe mandati i dytë do të fokusohemi në ndërtimin e infrastrukturës bazike nëpër fshatra. Fokusi i veçantë do të jetë ndërtimi i rrugëve, rrugicave, ndriçimi publik, trajtimi i ujërave të zeza dhe fokusi do të jetë në modernizimin e fshatrave, por duke vazhduar dhe me projektet në qytet”, thotë ai.
Në intervistën për Expose, ai thotë se Malisheva mbetet bastion i Nismës Socialdemokrate dhe lidershipit të Fatmir Limajt, i cili – siç thekson – ka kontribuar me shumë projekte në këtë komunë.
“Malisheva ka qenë, është dhe do të jetë bastion i Nismës Sociademokrate sepse jemi të lodhur ngushtë dhe shpirtërisht me liderin tonë z.Fatmir Limaj, që ka realizuar shumë projekte në këtë komunë duke nisur nga të gjitha llojet e infrastrukturës rrugore, shkollore, prandaj edhe qytetari i Malishevës është i lidhur me të por edhe me programin e Nismës dhe kështu që Malisheva do të mbetet gjithmonë bastion i kësaj partie”, ka vlerësuar Kastrati.
Ai beson në përkrahjen e qytetarëve më 12 tetor, pasi thotë se ata e vlerësojnë punën e bërë nga ai.
“Duhet që të na përkrahin sepse e kanë parë përkushtimin tonë, punën, angazhimin permanent dhe projektet që i kemi realizuar dhe qytetarët e Malishevës kriteret e vlerësimit i kanë të larta, dinë ta çmojnë e vlerësojnë punën e punëtorin, kështu që me punën dhe angazhimin tonë gjatë këtyre 4 vjetëve kemi garanci se do të na përkrahin edhe në të ardhmen në vazhdim të Malishevës urbane dhe të fshatrave modern dhe urbanistik. Premtimet tona janë shumë reale dhe që përmbushen dhe qytetarët e Malishevës do të shkojnë në këtë drejtim në besimin që ka Nisma këtu në Malishevë”, ka theksuar ai.
Sipas Kastratit, më 12 tetor Nisma do ta festojë fitoren pa balotazh në Malishevë.
“Ne besojmë fuqishëm duke i parë matjet në terren dhe kontaktet me qytetarë, Nisma më 12 tetor do të festojë fitoren pa balotazh sepse ashtu është qëndrimi qytetar, ashtu është besimi i qytetarëve dhe sigurisht puna dhe angazhimi jonë është argumenti më i fortë për një fitore të tillë”, ka deklaruar Ekrem Kastrati./Gazeta Blic/


